
Me datë 11 Mars, 2026, Departamenti i Shtetit Amerikan ka botuar RREGULLIN PËRFUNDIMTAR në Regjistrin Federal (ekuivalenti i Fletores Zyrtare në Shqipëri), i cili ndryshon Rregullat për Programin e Vizave Emigruese, ndryshe njohur si Llotaria amerikane. Ky Rregull hyn në fuqi më dt. 10 Prill, 2026.
Sipas Departamentit të Shtetit, ndryshimet do të “përmirësojnë integritetin” e programit dhe do të “zvogëlojnë mashtrimet”. Duke filluar nga data 10 Prill, 2026, aplikantët e Programit të Llotarisë Amerikane duhet të plotësojnë këto tre kushte për të aplikuar:
- Te kenë një pasaportë të vlefshme dhe të ngarkojnë elektronikisht një kopje të skanuar të faqes me të dhënat biometrike të aplikantit;
- $1.00 tarifë do duhet të paguhet për aplikimin;
- Fjala “gjini” është zëvendësuar me fjalën “seks”, si edhe fjala “moshë” është zëvendësuar me “data aktuale e lindjes”, ndryshime të cilat kanë si qëllim saktësinë e përpunimit të llotarisë.
Rregulli do të hyjë në fuqi më dt. 10 Prill, 2026 dhe do të zbatohet për herë të parë në Programin e Llotarisë Amerikane, DV 2027 (“DV-2027”).
Kujtojmë se më datë 5 Gusht, 2025, Departamenti i Shtetit Amerikane publikoi në Regjistrin Federal një Njoftim që propozonte një Rregullore të Re me titull: “Vizat: Përmirësimi i Verifikimit dhe Luftimi i Mashtrimeve në Programin e Vizave për Llotarinë Amerikane”. Pas diskutimeve dhe propozimeve të shumta, më në fund, me dt. 11 Mars, 2026, Departamenti i Shtetit publikoi rregullat e reja.
Mendohet se këto ndryshime të rëndësishme kanë për qëllim të rrisin integritetin e programit, të zvogëlojnë mundësitë për mashtrime si edhe të përmirësojnë qartësinë e rregullave që zbatohen gjatë përpunimin konsullor të fituesve të Llotarisë Anerikane.
Pritet që Departamenti i Shtetit të publikojë së shpejti datën se kur do të çelet Llotaria Amerikane me rregullat e reja.






