Në Vijën e Parë të Lajmit – Profil mbi gazetarin Denion Ndrenika

Kush jeton në New Jersey, por jo vetëm, dhe dëgjon emrin Denion Ndrenika, menjëherë i vjen në mendje njeriu i cili me zell të admirueshëm raporton lajme nga dispora për televizione prestigjioze në Shqipëri dhe Kosovë.

Denion Ndrenika është gazetar dhe profesionist i çështjeve publike me një karrierë rreth 35-vjeçare, i njohur për kontributin e tij në media, institucione shtetërore si edhe në trajnimin e brezave të gazetarëve të rinj.

Denioni e filloi karrierën në Maj të vitit 1992 dhe vazhdon të punojë edhe sot, duke u bërë një nga gazetarët më me përvojë në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë. Gjatë 35 viteve, Denioni ka punuar si Gazetar, Korrespondent, Redaktor lajmesh, Kryeredaktor dhe Drejtor Editorial, duke kombinuar vazhdimisht etikën profesionale, raportimin e saktë, dhe udhëheqjen editoriale.

Denioni ka mbuluar disa konflikte serioze si reporter terreni. Në kohën kur ka qenë Kryeredaktor në Radio “Koha Tirana”, Denioni ka raportuar gjerësisht mbi Luftën e Kosovës. Gjithashtu, edhe si Kryeredaktor në Radio “Blue Sky”, Denioni përsëri ka preferuar të dalë në terren, si çdo gazetar profesionist. Si reporter terreni, ai ka mbuluar konfliktet rajonale në Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës, kryesisht në fillim të viteve 2000.

Për rreth 25 vjet, Denioni ka punuar për RTK në Kosovë si Gazetar, Drejtues, dhe Korrespondent përpara se të transferohej në New Jersey. Paralelisht, ai ka bashkëpunuar me RTVSH, Radio Tirana dhe Radio +2, si edhe ka shkruar dhe redaktuar artikuj për gazetat e përditshme kosovare, si psh “Sindikalisti”, “Flatra”, “Republika”, “Shekulli”, “Ushtria”, “Koha”, “Sporti Shqiptar”, dhe “Gazeta e Re”. Nga ana tjetër, Denioni shërbeu në rolin e rëndësishëm të Botuesit për gazetat “Bota e Sportit”, “Intermexo”, dhe “Politika +”.

Denioni ka qenë bashkë-themelues në gazetën “Bota e Sportit”, e cila operoi me dy zyra redaksionale, në Tiranë dhe në Prishtinë. Në Shtetet e Bashkuara, ai drejtoi gazetën “Illyria”, e cila mbulonte Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Përveç karrierës në gazetari, Denioni ka qenë thellësisht i përkushtuar edhe ndaj shërbimit publik. Ai ka qenë Këshilltar në disa institucione të rëndësishme shqiptare, si në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Ekonomisë, këshilltar i Prokurorit të Përgjithshëm, etj. Njëkohësisht, Denioni shërbeu si Lektor i ftuar në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, duke kontribuar në trajnimin e gazetarëve të rinj.

Aktualisht, Denioni jeton në New Jersey ku vazhdon të punojë si gazetar për kanale kryesore televizive shqiptare dhe kosovare, duke përfshirë CNN Albania A2, Euronews Albania, Report TV, RTVSH, MCN TV, TëVë1. Njëkohësisht, ai është pjesë e sistemit arsimor të shkollave të mesme dhe të larta në New Jersey ku kombinon mësimdhënien me gazetarinë ndërkombëtare.

 

 

Related Posts

Leave a Reply