
Duke shfletuar poetët shqiptarë të cilët jetojnë dhe punojnë në diasporë, më zuri syri një portret shumë të bukur të poetes Neviana Shehi, e cila prej më shumë se 20 vitesh jeton në Itali. Përpos portetrit që të lë pa fjalë, komenti “Ajo zotëron një gjuhë të pasur me metafora, ku sensualiteti shndërrohet në një formë meditative të ekzistencës…” më bëri edhe mua të kthej vëmendjen nga kjo vajzë e bukur dhe e talentuar.
Neviana u lind në Durrës ku deti padiskutim ka skalitur fije të padukshme dashurie për çdo gjë të bukur. Neviana u diplomua si maturante në qytetin e saj bregdetar por Berlini do të priste më pas vajzën e magjishme shqiptare për ta formësuar edhe më tepër talentin dhe disiplinën e saj.
Autorja me mjeshtri të stërholluar i qaset origjinalitetit dhe përpunimit të traditës, duke realizuar një poetikë postmoderne kaq fine dhe të paparë në krijimet bashkëkohore poetike shqiptare. E pajisur me njohuri të thella mbi të kaluarën e vet si dhe e regjur nga malli për ta shijuar dhe kultivuar origjinalitetin e artit të kodifikuar kombëtarisht, poetesha Shehi na ofron modelin e poezisë postmoderne shqiptare. Postmodernizmi kërkon që t’i kthehemi të kaluarës dhe ta vjelim me mjete moderne. Filozofi italian Umberto Eko këtë fenomen kulturor e quan “rivizitë traditës”! (Avni Halimi).
Poezia e Nevianës shpesh zhvendoset nga dimensioni personal në atë universal pa zhurmë të tepërt. Është si një shi që fillon lehtë, por zgjat gjatë, duke lënë gjurmë në rrugicat e ndërgjegjes. Përmes një lirizmi që nuk bie në patetikë, autorja arrin të formësojë një botë të heshtur, por të gjallë, një botë ku dashuria, mungesa, zhgënjimi dhe prania e fatit ndërthuren si linja të një partiture intime. (Fitim Nuhiu).
Poezia e saj dallohet për sinqeritetin, ngrohtësinë, thellësinë e ndjenjës dhe sofistikimin e mendimit poetik. Dallohet për elegnacën e fjalës dhe bërjen e imazhit, gjetjet e holla dhe finesën e përcjelljes së mesazheve tek lexuesi. Në poezinë e saj ka ritme jete, vrullim ndjenjash, vlim pasioni, por mbi të gjitha ka kërkim harmonie e bukurie, tek të cilat me sa duket beson poetja dhe tenton t’i gjejë dhe t’i artikuloj në çdo varg e strofë, në çdo poezi. (Dukagjin Hata).
Stili i saj ndërthur me mjeshtëri me elemente të mitologjisë lindore dhe perëndimore, përshkon hapësira urbane dhe pyje legjendare, zhytet në ngjarje të kujtesës personale dhe kolektive, gjithmonë duke e mbajtur lart emocionin, si një shtyllë vertebrale të gjithë ndërtimit poetik… (Mexhit Mehmeti).
Neviana ka botuar librat me poezi: “Vjeshtë fatesh”, “Përtej valëve”, “Burri i netëve të mia”, “Edhe perënditë pushojnë të shtunën”, “Deti i natës”, “Stina e daulleve të shiut”, si edhe librin me tregime “Heshtja e pianistes”.
Poezitë e Nevianës janë përkthyer në italisht, gjermanisht, rumanisht, anglisht, dhe greqisht. Emri i saj është prezantuar edhe në shumë antologji. Njëkohësisht, me poezinë dhe prozën e saj, Neviana është vazhdimisht prezente në faqet e gazetave, revistave e portaleve në gjuhën shqipe.






