Përse nuk duhet të heshtim përpara bullizimit

Është krijuar stereotipi se bullizimi, ose “sulmet ofenduese”, është një fenomen që ndodh vetëm mes fëmijëve dhe vetëm në shkolla. Por e vërteta është se bullizimi është prezent edhe mes të rriturve, shpeshherë edhe më i ashpër.

Bullizuesi është një individ që zakonisht përdor forcën, pushtetin ose ndikimin e tij në komunitet për të frikësuar, intimiduar dhe lënduar të tjerët, veçanërisht ata që janë më të dobët ose më pak të mbrojtur në shoqëri. Kjo sjellje – e njohur si bullizim – mund të jetë fizike, verbale ose të ndodhë në rrjetet sociale (bullizimi kibernetik). Ajo karakterizohet nga natyra e saj keqdashëse, e qëllimshme dhe e përsëritur, dhe në raste të rënda mund të çojë deri në pasoja tragjike për viktimën.

Ndërkohë që shoqëria shqiptare në emigracion kërkon të evoluojë, shpeshherë riprodhon të njëjtat modele të dëmshme, sidomos në rrjetet sociale, ku shumëkush përpiqet të duket “i rëndësishëm”. Në këtë marrëzi kolektive, vlerat njerëzore shpesh zbehen, ndërsa humaniteti duket sikur lihet mënjanë.

Bullizuesit e hapur janë të drejtpërdrejtë dhe shpesh mund të dallohen lehtë. Por më të rrezikshëm janë bullizuesit e fshehtë. Ata veprojnë në prapaskenë, përmes mesazheve private, thashethemeve apo manipulimit të fakteve në rrjetet sociale, duke u përpjekur të dëmtojnë figurën dhe imazhin e dikujt.

Kjo sjellje primitive shpesh del në sipërfaqe kur një individ i thjeshtë vlerësohet më shumë në komunitet sesa bullizuesi. Atëherë ai përpiqet të krijojë histori, të përhapë fjalë apo të nënçmojë të tjerët për të ulur vlerën e tyre. Në thelb, bullizuesi shpesh nuk duron suksesin, respektin apo mirësinë e një njeriu tjetër.

Ky është bullizimi mes të rriturve: sulme ofenduese, përshpërima online (ndonjëherë edhe anonime), manipulim faktesh apo gënjeshtra të qëllimshme. Bullizuesi shpesh mendon se mund ta mbulojë të vërtetën, por siç thuhet, dielli nuk mund të mbulohet me shoshë.

Prandaj, të gjithëve na takon një detyrë: të mos heshtim përpara bullizimit!

Viktima nuk duhet të heshtë.
Edhe ti që e sheh apo e dëgjon një bullizim, nuk duhet të heshtësh.

Reago, sepse edhe mosveprimi sjell pasoja.
Reago, sepse nesër viktima mund të jesh ti.

 

Related Posts

Leave a Reply