“Nënë moj” – Sali MALAJ – Kënga më e re dhuratë për këtë 8-Mars

 

Ky 8-Mars nuk erdhi vetëm! Këngëtari shumë i talentuar, Sali MALAJ, me zërin e fuqishëm dhe melodioz, i cili është gjithashtu i mirënjohur për performancat e tij të pagabueshme “live”, ka publikuar këngën e tij më të re dedikuar NËNËS.

Kënga “Nënë moj” është lançuar më datë 7 Mars si një Dhuratë e Çmuar për të gjitha Nënat dedikuar sakrificës dhe dashurisë së pakufijshme që ato dhurojnë.

Sali, tepër i entuziazmuar është shprehur për Immigrants Voice se kishte kohë që e mendonte të realizonte një këngë për nënën. “Në nëntor të vitit të shkuar, shton ai me sytë që i buzëqeshin, Zoti më bekoi mua dhe bashkëshorten time me një vajzë që quhet Raia. Ajo është gëzimi më i madh i jetës sonë!

Mirëpo, shton Sali, të rritësh një fëmijë kërkon mijëra sakrifica! Tek shihja bashkëshorten time të rrinte ditë e natë pa gjumë, duke përkëdhelur vajzën tonë që të pushonte së qari, më shkonte mendja tek nëna ime dhe thoja me vete: sa heroina janë nënat që na rrisin me kaq shumë dashuri dhe përkushtim.

Çdo ditë që kalonte më sillte një ide të re për vargjet e këngës. Të gjitha këto ide ia tregova mikut tim, tekst-shkruesit shumë të talentuar Engjëll Kondi, i cili e qendisi tekstin ashtu siç e kisha imagjinuar.”

Sali vazhdon të rrëfejë se “Unë, përveçse këngëtar, jam edhe muzikant, ndaj punova ditë e natë derisa i përshtata tekstit muzikën që dëgjoni sot. Orkestrimi është realizuar nga një prej kompozitorëve më të mirë që ka Shqipëria, Adrian Hila.

Çdo herë që bëj një këngë të re, zakonisht ua tregoj fillimisht familjarëve të mi për të marrë mendimin dhe aprovimin e tyre. Por për këngën “Nënë Moj”, sapo e dëgjuan, ua pashë sytë të mbushur me lot… dhe aty e kuptova se këtë herë aprovimin e kisha marrë pa pasur nevojë për fjalë…”

Mesazhi që Sali dëshiron të përcjellë me këtë këngë është i thjeshtë, por i dalë nga zemra: duart që na rritën, do t’i puthim gjithë jetën.

Kjo këngë ka një vlerë të paçmuar për Salin, i cili shprehet se në fund të fundit, pavarësisht sa rritemi, sa larg shkojmë në jetë, një gjë mbetet gjithmonë e njëjtë: dashuria dhe mirënjohja për Nënën!

Shijoni këngën “Nënë moj” nga Sali MALAJ, në platformën “YouTube”, këngë e cila vetëm brenda 24 orëve është dëgjuar mbi 12 mijë herë. Urime Sali! Urime Nënave kudo që janë!

Related Posts

Leave a Reply