
Këtë 7 Mars, Znj. Meri Andrea-Kodra nuk është vetëm Mesuesja nga Korça e cila kur erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin ‘98 kontribuoi në hapjen e Shkollës Shqipe “Iliria” në Worcester, MA, por është Njeriu i Mirë me Zemrën e Madhe që me këmbëngulje vazhdon të punojë edhe sot që edhe fëmijët shqiptarë të lindur në Florida të Flasin SHQIP.
Prej vitit 2021, Shoqata “Vatra” (Dega Tampa Bay, FL) i ka besuar Znj. Meri drejtimin e Shkollës Shqipe “Vatra”, detyrë të cilën ajo e realizon jo vetëm në mënyrë të suksesshme por gjithashtu shprehet se Fëmijët e shkollës i japin JETË.
Znj. Meri, Drejtoresha e Shkollës, së bashku me Mësuesit, çdo të shtunë hap dyert e klasave dhe sigurohet që fëmijët shqiptarë në FL, jo vetëm të arsimohen në shqip, por edhe të argëtohen nëpërmjet evente të ndryshme gjatë festave të veçanta të cila përkojnë edhe me festat e shkollave në Shqipëri, si psh, Festa e Abetares, Festa e Flamurit, Këndimi i Hymnit në Gjuhën Shqipe çdo të Shtunë, etj.
Shkolla Shqipe “Vatra” e drejtuar nga Znj. Meri i ka klasat pranë Kampusit Universitar “St. Petersburg College – SPC” të qytetit të Clearwater, FL. Prindërit shqiptarë që jetojnë në Tampa Bay ndihen me fat që fëmijët e tyre e kanë mundësinë e njohjes me Gjuhën dhe Kulturën Shqiptare edhe pse mijëra kilomentra larg Shqipërisë.
Një Falënderim dhe Vlerësim Absolutisht i Veçantë i shkon Themeluesve, Kontribuesve dhe të Gjithë Mësuesve të Shkollës Shqipe “Vatra”, të cilët NDËR VITE kanë kontribuar financiarisht, por mbi të gjitha kanë dedikuar kohën, dijet, përkushtimin dhe dashurinë e tyre që fëmijëve shqiptarë në Tampa Bay të mos ju mungojë gjuha e nënës, gjuha Shqipe.
Në 1974, Meri Andrea-Kodra u diplomua për “Gjuhë-Letërsi” nga Universiteti “Fan Noli”, Korçë dhe pas diplomimit, ajo u emërua “Mësuese” në shkollën publike “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” në qytetin e Korçës. Për shkak të punës së palodhshme dhe përkushtimit të saj, pas disa vitesh vjen emërimi në Seksionin e Arsimit Korçë, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin ‘98 kur u zhvendos përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikes.
Gjatë viteve të saj të para në Amerikë, në bashkëpunim edhe me disa shoqata shqiptare në Boston, Znj. Meri kontribuoi në mbledhjen dhe menaxhimin e ndihmave shqiptaro-amerikane dhe më pas shpërndarjen e tyre në Korçë. Madje, ajo me shaka përmend se “Shtëpia ime dhe e vëllezërve të mi në Worcester u shndërrua në një depo të madhe për grumbullimin e ndihmave për Shqiptarët e Shqipërisë”.
Znj. Meri Andrea-Kodra jeton në Clearwater, Florida dhe vazhdon të shpërndajë Mirësi te çdo njeri që ka fatin ta njohë. Mrekullitë nuk zbresin nga Qielli. Ndonjëhere Mrekullitë jane thjesht Njerëzit e Mirë me Zemër të Madhe fare pranë nesh.
Gëzuar 7 Marsin të gjithë Mësuesve të cilët përçojnë Gjuhën Shqipe te fëmijët shqiptarë kudo nëpër botë!






